Anëtarësohu – Rrjeti Kombëtar i OSHC-ve kundër Korrupsionit
Shoqëria civile është një aktor i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit e cila prej vitesh tashmë ka treguar angazhim dhe vendosmëri në këtë drejtim. Për të fuqizuar rolin e shoqërisë civile në proceset politikëbërëse dhe të vendimmarrjes, për të nxitur aktivizimin e tyre dhe për të promovuar një bashkëpunim më të fortë me institucionet e përfshira në luftën kundër korrupsionit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në bashkëpunim me Qendra A.L.T.R.I dhe Friends of Europe (FoE) po zbatojnë projektin me titull “Shoqëria civile kundër korrupsionit – nga një sfidë vendase në një përgjigje Evropiane”. Ky projekt mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe do të zbatohet për një periudhë 36 mujore, deri më 31 dhjetor 2025.
Projekti synon krijimin e rrjetit të OSHC-ve kundër korrupsionit, si një rrjet informal në nivel kombëtar, i cili ka për qëllim të bëjë së bashku organizatat në përpjekjet dhe iniciativat kundër korrupsionit, të mirëqeverisjes apo forcimit të shtetit të së drejtës, në përmirësimin e politikës kombëtare duke bashkuar forcat, ekspertizën dhe shtuar impaktin e rezultateve të kërkuara. Për të përmbushur qëllimin që i bashkon organizatat në Rrjetin kundër korrupsionit dhe për të forcuar kapacitetet e tyre për të ndërmarrë nisma të natyrës monitoruese, avokuese apo ndërgjegjësuese në kuadër të luftës kundër korrupsionit, por edhe për planifikimin, organizimin dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta, do të ofrohen disa sesione trajnimi me organizatat e rrjetit ne varësi të nevojave të identifikuara nga vlerësimi individual i kapaciteteve dhe nevojave të organizatave të Rrjetit.
Me qëllim komunikimin dhe ndërveprimin e OSHC-ve të rrjetit do të krijohet një platforme digjitale që të shërbejë si një hapësire ku OSHC-të të mund të shkëmbejnë informacion apo të diskutojnë midis tyre arritjet, problemet e hasura, shqetësimet apo prioritetet në luftën kundër korrupsionit, mirëqeverisjen dhe çështjet e drejtësisë, nevojën për të ndërmarrë iniciativa të përbashkëta apo për të advokuar së bashku për përmirësimin e politikave dhe të legjislacionin apo marrjen e masave të nevojshme.
Rrjeti nuk do të mund të përmbushë qëllimin e saj nëse aktorët e tjerë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit nuk do të jene pjesë e saj dhe pa të cilët nismat dhe qëndrimet e përbashkëta të OSHC-ve nuk do të kenë ndikimin e duhur. Kështu, do të jenë pjesë e platformës së rrjetit edhe institucionet e angazhuara në luftën kundër korrupsionit, media, bizneset dhe qytetarët (të cilët do të kenë akses në të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e publikuar për publikun për qëllime informimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi qytetar etj).
Ftojmë të gjithë organizatat e shoqërisë civile të bëhen pjesë e Rrjetit Kombëtar kundër Korrupsionit, duke plotësuar formularin e mëposhtëm dhe dërgimin e saj në adresën e emailit qendra.altri@gmail.com ose elida.jata@altri.al.