Mbas hartimit të Analizës, për një periudhë 3 mujor u zhvillua pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të Tiranës, Shkodrës, Vlorës dhe Korcës një monitorim të seancave gjyqësore që trajtojnë çështje të fushave të ndryshme (civile, tregtare, të punës, familjare, pronësisë intelektuale, mosmarrëveshjet midis organeve të administratës publike dhe subjekteve private, në fushën penale etj) sipas parashikimeve të ligjit për ndërmjetësimin. Monitorimi i seancave gjyqësore do të përqëndrohet në zbatimin e dispozitave të KPrC, KPrP, Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe ligjit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim lidhur me detyrimin për njoftim dhe udhëzim të palëve për zgjidhjen me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve. Me qëllim mbledhjen e të dhënave cilësore u zhvillua intervistimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe ndërmjetësve. Nga ky proces synohet mbledhja e të dhënave në disa drejtime si: Cilat kanë qenë problematikat e deritanishme që kanë cuar në zbatimin e kufizuar të zgjidhjes me ndërmjetësim të mosmarrëveshjeve? Si aplikohen dispozitat ligjore lidhur me referimin e rasteve të ndërmjetësimit nga gjykatat? Sa kanë ndikuar dispozitat e reja në rritjen e rasteve të ndërmjetësimit të referuara nga gjykatat? Cfarë problematikash paraqesin parashikimet ligjore të referimit të detyrueshëm që parashikojnë dispozitat e reja në këndvështrimin e Kodeve Procedurale? Sa eficente konsiderohen këto dispozita nga gjyqtarët, prokurorët, ndërmjetësit dhe organizatat e shoqërisë civile? Cilat cështje konsiderohen si më të përshtatshme për tu zgjidhur me ndërmjetësim? Sa efektive kanë qenë marrëveshjet e bashkëpunimit të lidhura midis DHKN dhe gjykatave?
Gjithashtu u zhvillua një proces anketimi me qytetarë palë në procet gjyqësore dhe përfitues të shërbimit të ndërmjetësimit. Qëllimi i procesit të anketimit do të jetë mbledhja e të dhënave si: Cili është niveli i njohurive të palëve që i drejtohen gjykatës lidhur me mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me ndërmjetësim? Cili është perceptimi i tyre lidhur me këtë shërbim? Si e vlerësojnë palët që kanë zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre me ndërmjetësim, shërbimin e ofruar? Ekspertët e projektit do të hartojnë një pyetësor të strukturuar për qytetarët palë në procet gjyqësore dhe përfitues të shërbimit të ndërmjetësimit. Mbas mbledhjes së të dhënave, u hartua Raporti i monitorimit. Gjetjet e evidentuara në raportin e monitorimit do të prezantohen në rrjetet sociale si dhe një fushatë advokuese do të ndërmerret me qëllim jo vetëm bërjen publike të gjetjeve dhe rekomandimeve por edhe nxitjen e institucioneve në zbatimin e tyre.