Me qëllim identifikimin e nevojave për këtë kategori, ekspertët e Qendrës ALTRI hartuan raportin e vlerësimit me titull “RAPORTI PËR SITUATËN E TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE NË SHQIPËRI GJATË PERIUDHËS SË PANDEMISË COVID-19”. Qëllimi i raportit është mbledhja dhe analizimi i informacionit mbi situatën e viktimave të trafikimit në kohë pandemie dhe nxjerrja e rekomandimeve mbi gjendjen e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, duke ju referuar akteve ndërkombëtare, legjislacionit kombëtar, situatës aktuale të viktimave të trafikimit dhe problematikave me të cilat ato përballen çdo ditë. Po ashtu ky raport përmban të dhëna mbi punën dhe efiçensën e autoriteteve anti-trafik në zbatimin e ligjit, përfshirjen e tyre në procesin e hetimit të trafikut dhe efektet e këtyre proceseve në rehabilitimin edhe ri-integrimin e viktimave, si dhe në përmbushjen e detyrimeve të tjera në përmirësimin e situatës në vend. Raporti përfshin si qëllim edhe matjen e zhvillimeve institucionale në kuadër të përmirësimit të gjendjes së viktimave të trafikimit, në ndërmarrjen e masave dhe zhvillimin e veprimtarive dhe programeve strategjike në ofrimin e mjeteve dhe infrastrukturës adekuate në qendrat pritëse për viktimat e trafikimit. Pjesë e integruar e analizës së këtij raporti është dhe pasqyrimi i situatës që reflektojnë raportet ndërkombëtare dhe kombëtare në këtë fushë, duke u fokusuar në situatën e krijuar gjatë pandemisë COVID 19.