Misioni

Misioni i Qendrës ALTRI është kontribuimi për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, përmes punës kërkimore, aktiviteteve advokuese, fushatave ndërgjegjësuese dhe studimeve.

 

Objekti i veprimtarisë

Qendra A.L.T.R.I. është një organizatë me karakter kërkimor, profesional, kulturor, e pavarur, joqeveritare dhe jopolitike. A.L.T.R.I është një organizatë jo-fitimprurëse në formën e Qendrës, themeluar në vitin 2011. Qendra vepron në bazë të ligjit Nr. 8788, datë 07.05.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”,  dhe është regjistruar në Regjistrin e Organizatave Jo-Fitimprurëse pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me Vendimin nr.705 ,datë 16. 12.2011. Sipas statutit dhe aktit të themelimit të ALTRI, Qendra gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj kërkon të arrijë qëllimet e mëposhtme:

  • Kërkimi, studimi, sensibilizimi, advokimi dhe lobimi për çështje ligjore dhe territoriale;
  • Mbështetja e procesit legjislativ dhe hartimi i legjislacionit
  • Kërkimi, studimi, sensibilizimi, advokimi, lobimi dhe hartimi i legjislacionit në çështje që lidhen me mirëqeverisjen, shtetin e së drejtës, e-Goverment, decentralizimin, transparencën, integrimin, luftën kundër korrupsionit, llogaridhënien e përgjegjshmërinë e autoriteteve publike dhe të gjyqësorit;
  • Luajtja e një roli ndërmjetësues midis autoriteteve publike edhe publikut  me qëllim adresimin e nevojave të publikut dhe rritjes së besimit tek zyrtarët publikë;
  • Të shërbejë si një zë i informuar dhe i pavarur në debatet mbi politikat për çështje të ndryshme ligjore e territoriale;
  • Identifikimi, artikulimi dhe vlerësimi i çështjeve aktuale që lidhen me politika, propozime dhe programe në fushën ligjore dhe territoriale;
  • Transformimi i ideve dhe problemeve emergjente në orientues politikash dhe në politika konkrete;
  • Interpretimi i çështjeve, eventeve, politikave për median elektronike dhe atë të shkruar duke lehtësuar të kuptuarit nga publiku të çështjeve ligjore dhe territoriale, me përmasa të brendshme, evropiane dhe ndërkombëtare;
  • Nxitja dhe krijimi i forumeve konstruktive për shkëmbimin e ideve dhe informacionit midis aktorëve kryesorë dhe grupeve të interesit në procesin e formulimit të politikave në çështjet ligjore dhe territoriale;
  • Lehtësimi dhe krijimi i rrjeteve specifike sipas çështjeve (issue networks) përmes strategjive gjithëpërfshirëse në funksion të mobilizimit civil për çështje sensitive ligjore e territoriale;
  • Përfshirja në procesin legjislativ si një zë i pavarur dhe i paanshëm, i orientuar nga interesat e komunitetit dhe të grupeve vulnerabël, si dhe lobimi në interes të tyre;
  • Kryerja e kërkimeve, studimeve dhe analizave që lidhen me çështje të politikave publike, me nevojat për ndërhyrje legjislative në fusha të ndryshme, me përafrimin e legjislacionit me acquis communautaire dhe përqasjen me standardet ndërkombëtare;
  • Përfaqësimi i çështjeve, interesave apo këndvështrimeve specifike dhe përpjekja për influencimin e politikave, praktikave dhe qasjeve të autoriteteve publike dhe aktorëve të tjerë si media dhe publiku i gjerë.
  • Zhvillimi, monitorimi dhe zbatimi i projekteve, programeve ose shërbimeve në fushën ligjore dhe/ose territoriale.
  • Ofrimi i ekspertizës dhe lobimit në lidhje me çështje të posaçme me natyrë ligjore dhe/ose territoriale.
  • Bashkëpunimi me organizata të tjera në veprimtari sensibilizuese, si dhe mbështetja e tyre, kur është rasti, me trajnime e aktivitete për ngritje kapacitetesh.
  • Ofrimi i ndihmës ligjore parësore dhe dytësore me qëllim sigurimin e aksesit të barabartë   të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë.
  • Zhvillimi, monitorimi dhe zbatimi i projekteve, programeve ose shërbimeve në fushën e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve;
  • Zhvillimi, monitorimi dhe zbatimi i projekteve, programeve ose shërbimeve me fokus të veçantë grupet vulnerabël
  • Zhvillimi, monitorimi dhe zbatimi i projekteve, programeve ose shërbimeve me fokus të veçantë në edukimin ligjor të publikut.