Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte krijimi i një koalicioni me aktorë nga bota akademike dhe organizatat e shoqërisë civile për të vjelë perspektivat e botës akademike dhe të shoqërisë civile mbi reformën kushtetuese, si dhe për të zhvilluar, formësuar dhe advokuar për një reformë të qenësishme kushtetuese, në funksion të forcimit të institucioneve dhe shtetit të së drejtës. Një nga aktivitetet e këtij projekti që synoi, gjithashtu, vjeljen e mendimit akademik, por kësaj here, përmes nxitjes së kërkimit shkencor e shkrimit akademik, ishte thirrja e hapur për artikuj akademikë. Kjo thirrje iu drejtua të gjithë botës akademike, ekspertëve të fushës, studiuesve dhe profesionistëve në lëmin e shtetit të së drejtës, për paraqitjen e punimeve shkencore-kërkimore për reformën kushtetuese.