THIRRJE PËR EKSPERT KOMUNIKIMI NË KUADËR TË PROJEKTIT “MASAT PËR
PARANDALIMIN PËR TRAFIKIMIN E QENIEVE NJERËZORE SI DHE PARANDALIMIN
E PËRHAPJES SË COVID-19 NË STREHËZAT KU STREHOHEN VIKTIMAT DHE VIKTIMAT POTENCIALE TË TRAFIKIMIT”
TERMAT E REFERENCËS
Pozicioni | Ekspertë për komunikimin |
Vendi | Tiranë, Elbasan dhe Vlorë |
Data e fillimit | 14.09.2020 |
Data e mbarimit | 01.09.2021 |
Kohëzgjatja e detyrës | 32 ditë pune |
Përshkrimi i situatës aktuale
Bazuar nga studimet dhe raportet e hartuara për fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore, cilësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë të gjitha kapacitetet e duhura për të parandaluar këtë fenomen.
Dy arsyet kryesore janë: nga njëra anë, shumë nga individët që jetojnë në këto vende migrojnë drejt shteteve të Bashkimit Evropian (BE), ndërsa në anën tjetër, individë që jetojnë në vendet e treta, hyjnë në vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim kalimin e tyre drejt BE. Nga ana tjetër, situata e krijuar nga pandemia ka ndryshuar shumë ekuilibra dhe ka ndikuar në të gjitha aspektet e shoqërisë. Si në vendet e tjera në botë, edhe në Shqipëri, shpërthimi i COVID-19 ka prekur të gjitha segmentet e shoqërisë, por kryesisht grupet në nevojë siç janë: njerëzit në varfëri ekstreme, persona të moshuar, individë të papunë, persona me aftësi të kufizuara, gra dhe vajza, të rinj, refugjatë, emigrantë dhe minoritetet.
Duke iu referuar studimeve dhe raporteve të ndryshme të kryera, Shqipëria, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e bëra, vazhdon të jetë një vendburim për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit të personave, veçanërisht prostitucion të detyruar dhe punë të detyruar, duke përfshirë lypjen e detyruar të fëmijëve. Faktorët kryesorë të identifikuar si tregues që favorizojnë trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëria, duke specifikuar trafikimin e grave, fëmijëve dhe anëtarëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian janë:
- Situata e vështirë dhe kushtet e pafavorshme socio-ekonomike;
- Dhuna në familje;
- Rekrutimi i fëmijëve nga të afërmit për "lypje", ose punë të detyruar.
Ndër shërbimet e ndryshme që ekzistojnë për këtë kategori të prekshme, strehimi është një nga më të rëndësishmit. Aktualisht në Shqipëri, ekziston një strehëz e specializuar me qendër në Tiranë dhe tre strehëza të specializuara nga OSHC me qendër në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Megjithëse nuk ka të dhëna dhe prova aktuale mbi ndikimin që ka shkaktuar pandemia në këto mjedise në Shqipëri, duke pasur parasysh përvojën e vendeve të tjera në botë me një infrastrukturë më të mirë për këtë grup të prekshëm, situata e krijuar për shkak të pandemisë ka shkaktuar shumë vështirësi në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe sigurisë së viktimave të trafikimit të strehuara në këto strehëza. Disa strehëza mund të ofrojnë shërbime të kufizuara të kujdesit shëndetësor, të cilat mund të paraqesin rrezikun e transmetimit të infeksionit. Për më tepër, afërsia e individëve dhe stafit së bashku me një rënie ose mungesë të shërbimeve sanitare rutinë mund të rrisin rrezikun e transmetimit të sëmundjes.
Në këtë kuadër, ALTRI propozon zbatimin e kësaj iniciative të ndarë në dy komponent:
Komponenti i parë synon të garantojë të drejtat e viktimave të trafikimit si dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 brenda strehëzave në të cilat janë të strehuara kjo kategori përfituese. Komponenti i parë konsiston në: (1) identifikimin e nevojave të viktimave të trafikimit në strehëzat ku ato jetojnë, (2) ofrimi dhe sigurimi i produkteve të higjienës të përshtatshme për parandalimin e COVID-19; dhe ndërgjegjësimi për ndikimin që ka dhe vazhdon të ketë pandemia në jetën e tyre, rreziqet me të cilat përballet ky grup i prekshëm dhe masat që duhet të merren.
Komponenti i dytë synon të kontribuojë në nismën e propozuar nga Deutsche Gesellschaft für
Internationale Zusammenarbeit (GIZ) për të forcuar mirëqenien dhe qëndrueshmërinë e
viktimave (potenciale) duke fuqizuar autoritetet publike dhe organizatat e shoqërisë civile për të kryer fushata ndërgjegjësimi tek grupet e synuara.
Objektivat
Qendra ALTRI kërkon ekspertë komunikimi, i/e cila do të jetë përgjegjës për drejtimin e fushatës ndërgjegjësuese, për përgatitjen e materialeve informuese si dhe përditësimin e rrjeteve sociale të Qendrës ALTRI në kuadër të projektit.
Përgjegjësitë e ekspertit
- Do të jetë përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të komunikimit dhe informimit sipas një plani të përcaktuar që do të përfshijë: përdorimin e faqeve të internetit dhe faqet e mediave sociale dhe llogaritë (Facebook, Instagram, YouTube) të ALTRI-t;
- Do të ndihmojë Menaxherin e Programit për të mbledhur të dhënat e treguesëve të projektit;
- Do të hartojë së bashku me ekspertët e kontraktuar përmbajtjen për materialet informuese qe do të prodhohen për zbatimin e fushatës informuese;
- Gjatë fushatës së informimit të publikut, do të jetë përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të komunikimit dhe informimit, duke përfshirë përgatitjen dhe publikimin e përditësimeve të mediave sociale mbi aktivitetet e projektit dhe përgatitjen e përmbajtjes për fushatën e informimit publik (reklama facebook, postimet në facebook, radio ad).Gjithashtu do të ndihmojë Menaxherin e Programit për të mbledhur të dhënat e treguesit të projektit.
Kualifikimet e nevojshme
- Diplomë universiteti në një fushë relevante;
- Të paktën 10 vjet përvojë pune të mëparshme.
- Përvojë në shkrimin e artikujve; blogjeve dhe gazetari;
- Përvoja e mëparshme në punën me mediat sociale;
- Njohuri të shkëlqyera mbi rrjetet sociale
- Aftësi të shkëlqyera ndërpersonale dhe të komunikimit;
- Aftësi të shkëlqyera për të punuar nën presion dhe për të respektuar afatet;
- Njohuri të shkëlqyera të gjuhës angleze dhe shqipe, dhe njohurive kompjuterike.
Aplikimi
Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë CV-në e tyre në gjuhën shqipe/ angleze si dhe ofertën financiare në adresën qendra.altri@gmail.com deri më 8 Shtator 2020.