THIRRJE PËR EKSPERTË LIGJOR NË KUADËR TË PROJEKTIT “MONITORIMI DHE PROMOVIMI I SHPËRNDARJES SË BARABARTË TË TË DREJTAVE SOCIALE PËR GRUPET NË NEVOJË NË NIVEL KOMBËTAR DHE LOKAL (KUKËS, ELBASAN DHE LIBRAZHD)”
TERMAT E REFERENCËS
Pozicioni: Ekspert ligjor
Vendi: Tiranë, Kukës, Elbasan, Librazhd
Data e fillimit: 03.06.2019
Data e mbarimit: 15.08.2019
Kohëzgjatja e detyrës: 40 ditë pune
Përshkrimi i situatës aktuale
Bashkitë kanë detyrimin të ofrojnë shërbime të caktuara për grupet në nevojë, me qëllim të realizimit të të drejtave të tyre. Shërbimet e ofruara për grupet në nevojë nga qeverisja lokale janë në formë të ndihmës ekonomike, shërbime të përkujdesit social, të banimit dhe komunitetit.
Përgjatë takimeve të zhvilluara nga Qendra ALTRI në nivel vendor me NJQV dhe përfituesit e sherbimeve sociale, u identifikuan si shërbime të nevojshme për tu monitoruar menjëherë nga institucioni i AP shpërndarja e ndihmës ekonomike dhe respektimi i të drejtave të PAK. Me qëllim monitorimin e cilësisë së shërbimeve sociale që ofrohen nga njësitë e qeverisjes vendore, me mbështetjen e GIZ Albania, është hartuar “Metodologjia e monitorimit dhe vlerësimit të institucionit të Avokatit të Popullit për shërbimet sociale të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore”. Kjo metodologji monitorimi do ti shërbejë IAP për monitorimin e shërbimeve sociale të përzgjedhura.
Në të njëjtën kohë me zbatimin e monitorimit nga institucioni i AP, do të zhvillohen edhe fushatat ndërgjegjësuese të cilat do të përfshijnë edhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm si pjesë e Axhendës 2030. Institucioni i Avokatit të Popullit ka një rol kryesor dhe të rëndësishëm për qeverisjen e mirë, mbrojtjen e individëve kundër abuzimeve administrative dhe forcimin e besimit të publikut në shërbimet e ofruara nga qeveria lokale.
Avokati i Popullit ka si dispozitë ligjore mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Ai është një nxitës i standardeve më të larta të të drejtave dhe lirive të njeriut në vend. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e njeriut, veçanërisht me të drejtat e grupeve në nevojë. Për të arritur këto standarde, është e rëndësishme që NJQV të jenë të informuar për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, për përmbajtjen dhe rolin e tyre për zbatim sa më efikas.
Në këtë kuadër, Qendra ALTRI me mbështetjen e Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit GIZ, po zbatojnë projektin “Monitorimi dhe promovimi i shpërndarjes së barabartë të të drejtave sociale për grupet në nevojë në nivel kombëtar dhe lokal (Kukës, Elbasan dhe Librazhd)”.
Objektivat
Qendra ALTRI kërkon ekspert ligjor, i cili do të jetë përgjegjës për përgatitjen e materialeve / dokumenteve në kuadër të projektit.
Përgjegjësitë e ekspertëve
Për zbatimin e projektit, Qendra ALTRI kërkon shërbimet e një eksperti ligjor i cili do të jetë përgjegjës për:
- Hartimi i raportit të monitorimit dhe rekomandimeve
Eksperti ligjor në bashkëpunim me ekspertin për të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale si dhe me Avokatin e Popullit do të hartojë raportin e monitorimit bazuar në gjetjet e procesit të monitorimit. Gjithashtu eksperti ligjor do të japë kontributin e tij në hartimin e rekomandimeve konkrete për përmirësimin e situatës në ofrimin e shërbimeve sociale.
- Përgatitja dhe pjesëmarrja në procesin e konsultimit të rekomandimeve me bashkitë dhe institucione të tjera publike.
Eksperti do të marrë pjesë në katër takimet konsultuese që do të zhvillohen me përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe qëndrore dhe konkretisht tre në nivel vendor dhe një në nivel qëndror për të diskutuar mbi rekomandimet.
- Përgatitja dhe pjesëmarrja në aktivitetet e fushatave advokuese
Eksperti ligjor në bashkëpunim me ekspertin për të drejtat e njeriut dhe të drejtat sociale do të përgatisë dhe do të marrë pjesë në aktivitete të tilla si takime, intervista në media apo në përgatitjen e videos ndërgjegjësuese në kuadër të fushatave advokuese.
- Monitorimi i zbatimit të rekomandimeve nga ana e institucioneve përgjegjëse
Eksperti ligjor në bashkëpunim me Avokatin e Popullit, duke u bazuar edhe në përgjigjet zyrtare të institucionave përgjegjëse lidhur me aktet që ata kanë ndërmarrë ose jo, do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve të hartuara më sipër.
- Hartimi i raportit të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve
Eksperti ligjor do të hartojë një raport monitorimi ku do të prezantohet niveli i zbatimit të rekomandimeve, arsyet për mos-zbatimin e rekomandimeve në rast se ato nuk janë zbatuar dhe hapat që do të ndërmerren nga Avokati i Popullit bazuar në parashikimet ligjore.
- Zhvillimi dhe pjesëmarrja në seminar
Eskperti ligjor do të marrë pjesë në seminar me përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe të Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mirëqënies Sociale ku do të diskutohet mbi QZHQ në përgjithësi dhe masat e ndërmarra.
- Përgatitja dhe pjesëmarrja si folës në vizitën studimore
Eksperti ligjor do të marrë pjesë në këtë vizitë për të diskutuar dhe për të ndarë eksperiencat referuar QZHQ-së si dhe rolit të institucioneve në zbatimin e QZHQ-së dhe të drejtave sociale në nivel lokal.
- Përgatitja e raportit final
Eksperti ligjor do të përgatisë një raport final i cili do të përfshijë të dhënat e mbledhura, konkluzionet dhe rekomandimet.
Produktet
Produktet që duhet të ofrohen janë:
- Përgatitja dhe pjesëmarrja në procesin e konsultimit të rekomandimeve me bashkitë dhe institucione të tjera publike
- Përgatitja dhe pjesëmarrja në aktivitetet e fushatave advokuese
- Monitorimi i zbatimit të rekomandimeve nga ana e institucioneve përgjegjëse
- Hartimi i raportit të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve
- Hartimi i raportit të vlerësimit
- Zhvillimi dhe pjesëmarrja në seminar
- Përgatitja dhe pjesëmarrja si folës në vizitën studimore
- Përgatitja e raportit final
Kualifikimet e nevojshme
- Diplomë universiteti në drejtësi ose në shkenca shoqërore;
- Së paku 5 vjet përvojë profesionale;
- Njohuri të shkëlqyeshme të standardeve shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me një fokus të veçantë në të drejtat sociale të grupeve në nevojë;
- Shkathtësi shumë të mira me shkrim;
- Përvoja e mëparshme në hartimin e dokumenteve kërkimore si vlerësim, raportet/ metodologjitë e monitorimit;
- Aftësi për të punuar me mbikëqyrje minimale dhe nën presion kohor;
- Kualifikimet e tjera akademike në fushën juridike do të ishin një pasuri.
Vlerësimi i aplikantëve
Eksperti do të vlerësohet në bazë të një analize duke marrë parasysh kombinimin e kualifikimit dhe propozimit financiar të aplikantëve.
Eksperti i kualifikuar do të jetë mbi bazën e vlerësimit.Kontrata do te lidhet ndërmjet ekspertit të kualifikuar, oferta e të cilit është vlerësuar dhe përcaktuar si e:
- a) Përgjegjshme / përshtatshme / pranueshme; dhe
- b) Duke marrë rezultatin më të lartë nga kriteret teknike dhe financiare specifike për kërkimin.
Vetëm për kandidatët e klasifikuar do të merren parasysh vlerësimet financiare.
Kritere teknike – 70% e vlerësimit total – max pikë 70
Kriteri A: ekspertizë ligjore në standardet shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, me një fokus të veçantë në monitorimin e të drejtave sociale të grupeve në nevojë – max pikë 30
Kriteret B: Ekspertiza në përgatitjen dhe hartimin e dokumenteve ligjore – max pikë 30
Kriteret C: Arsimimi – pikë maksimale 10
Kriteret Financiare – 30% e vlerësimit të përgjithshëm – pikë maksimale 30
Aplikimi:
Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë CV-në e tyre në gjuhën angleze si dhe ofertën financiare në adresën info@altri.al; qendra.altri@gmail.com deri më 31 maj 2019.
Aplikantët gjithashtu mund të dorëzojnë aplikimin e tyre në kopje fizike së bashku me ofertën financiare në adresën e mëposhtme:
Qendra A.L.T.R.I
Rruga “Asim Zeneli”, Nr. 15
Tiranë, Shqipëri