Me mbështetjen e GIZ Albania, Qendra A.L.T.R.I ka filluar zbatimin e projektit “Monitorimi i zbatimit të të drejtave sociale të grupeve vulnerabël në nivel qëndror dhe vendor (Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec)”. Nëpërmjet këtij projekti synohet forcimi i kapaciteteve monitoruese të institucionit të Avokatit të Popullit ndaj njësive vendore në zbatimin e të drejtave sociale të grupeve vulnerabël. Gjithashtu, projekti synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të institucioneve dhe grupeve vulnerabël mbi të drejtat sociale që gëzojnë këta të fundit. Projekti parashikohet të zbatohet për një periudhë 12 mujore.
Konsultim me publikun (Elbasan, Librazhd, Pogradec dhe Kukës) për Metodologjinë e Monitorimit dhe vlerësimit të Institucionit të Avokatit të Popullit për shërbimet sociale të ofruara nga Njësitë e Qeverisjes Vendore.
Qershor, 2018
Në kuadër të projektit “ Monitorimi i zbatimit të të drejtave sociale të grupeve në nevojë në nivel qëndror dhe vendor (Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec)”, është hartuar “Metodologjia e monitorimit dhe vlerësimit të Institucionit të Avokatit të Popullit për shërbimet sociale të ofruara nga Njësitë e Qeverisjes Vendore”. Metodologjia ka për qëllim të shërbej si mjet pune e vazhdueshme e Institucionit të Avokatit të Popullit gjatë procesit të monitorimit të realizimit të të drejtave sociale të grupeve në nevojë. Për të patur një dokument realist, efiçent dhe të zbatueshëm janë ftuar të jenë të përfshirë ne procesin e konsultimit përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e Njësisë së Qeverisjes Vendore, përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile si dhe grupet në nevojë.
Zhvillimi i trajnimeve me përfaqësuesit e Njësisë së Qeverisjes Vendore mbi Metodologjinë e monitorimit dhe vlerësimit të shërbimeve sociale të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore (Kukës, Elbasan, Librazhd, Pogradec).
Tetor, 2018
Në kuadër të projektit “Monitorimi i shpërndarjes së barabartë të të drejtave sociale për grupet në nevojë në nivel kombëtar dhe lokal (Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec)” u zhvilluan trajnimet me përfaqësuesit e njësisë së qeverisjes vendore në Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec. Për zhvillimin e trajnimeve u hartua moduli i trajnimit, mbi të cilën u bazua edhe realizimi i trajnimeve. Zhvillimi i trajnimeve ka për synim t’u mundësojë përfaqësuesve të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesve të qeverisjes lokale të zbatojnë metodologjinë e monitorimit gjate veprimtarisë së punës së tyre.
Fushata ndërgjegjësuese dhe informuese
Tetor, 2018
Qendra ALTRI zhvilloi fushatën ndërgjegjësuese në 4 qytetet e zbatimit të projektit (Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec) nën sloganin “TË BARABARTË NË TË DREJTA, TË BARABARTË NË MUNDËSI”. Në kuadër të kësaj fushate u zhvilluan forume me qytetarët dhe ditë të hapura pranë Bashkisë Kukës, Elbasan, Librazhd dhe Pogradec.
Qëllimi i fushatës ndërgjegjësuese është rritja e ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre sociale: për shërbimet që NJQV ka për detyrë të ofrojë; për mjetet që mund të përdorin qytetarët për të arritur të drejtat e tyre sociale; roli i qytetarëve në metodologjinë e monitorimit.
Realizimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm
22 Mars 2019
Në kuadër të zbatimit të projektit “Monitorimi dhe promovimi i shpërndarjes së barabartë të të drejtave sociale për grupet vulnerabël në nivel kombëtar dhe local”, u realizua një vlerësim në bashkinë e Kukësit, Librazhdit dhe Elbasanit ne lidhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, masat e marra, mjetet e përdorura për arritjen e tyre dhe indikatorët për matjen e tyre. Vlerësimi u fokusua në drejtimet e mëposhtme:
- Vlerësimin e njohurive të bashkive për Axhendën 2030;
- Vlerësimin e përfshirjes të OZHQ-ve në planet e tyre strategjike dhe të veprimit;
- Vlerësimin e masave të marra dhe instrumentet e përdorura për arritjen e tyre dhe indikatorët për matjen e tyre.
Ky vlerësim u mbështet në intervistat e zhvilluara me përfaqësues të këtyre njësive vendore, bazuar në një pyetësor të përgatitur paraprakisht me rreth 15 pyetje që kishin të bënin kryesisht me informimin në lidhje me OZHQ-të; nivelin e bashkëpunimit me pushtetin qendror në kuadër të këtyre objektivave; veprimet konkrete që janë marrë për zbatimin e OZHQ-ve; krijimin e ndonjë mekanizmi institucional për monitorimin e arritjeve të OZHQ-ve; niveli i trajnimeve apo aktiviteteve ndërgjegjësuese të realizuara për këtë proces; ndikimin që kanë këto objektiva në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve për qytetarët; përfshirjen e tyre në strategjitë dhe planet lokale të veprimit; sfidat dhe problematikat e hasura etj.
Zhvillimi i seminareve
28 Qershor 2019
Aktiviteti vijues është zhvillimi i 4 seminareve në nivel vendor dhe qendror (Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe Kukës). Në seminarin e parë morën pjesë përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me trajnerët e kontraktuar nga Qendra ALTRI dhe GIZ Albania. Më pas, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pjesëmarrës në seminarin e parë, zhvilluan 3 seminare në nivel vendor në Kukës, Elbasan dhe Librazhd, duke trajnuar përfaqësuesit e këtyre të fundit (sipas metodës ToT).
Zhvillimi i Vizitës Studimore në Prishtinë
28 Qershor 2019
Qendra ALTRI për shkëmbimin e eksperiencave lidhur me realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm, zhvilloi 3 vizita studimore në Prishtinë:
- Vizitë studimore në ambientin e Institucionit i Avokatit të Popullit Kosovë;
- Vizitë studimore në ambientin e Komunës së Prishtinës;
- Vizitë studimore në ambientin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Prishtine.
Gjatë takimit pjesëmarrësit këmbyen mes tyre eksperiencat lidhur me:
- Rolin e institucioneve për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm (OZHQ);
- Masat e marra nga shtetet respektive dhe konkretisht nga institucioni që përfaqësojnë në kuadër të realizimit të OZHQ;
- Cilat janë sfidat e institucioneve që përfaqësojnë në kuadër të monitorimit të realizimit të OZHQ;
- Si mund të forcohet bashkëpunimi midis institucioneve homologe të Shqipërisë dhe Kosovës në kuadër të rritjes së kapaciteteve të punonjësve të këtyre institucioneve për përmbushjen e OZHQ.
Delegacioni shqiptar u përfaqësua nga përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit dhe nga përfaqësuesit e Zyrave Rajonale të Insitucionit të Avokatit të Popullit Kukës dhe Pogradec, nga përfaqësuesit e Bashkisë së Kukësit, nga përfaqësues të Bashkisë Librazhd, përfaqësuesit e Bashkisë së Elbasanit, përfaqësuesit e GIZ Albania dhe Kosovës.
Monitorimi i shërbimeve sociale në bashkinë Kukës, Elbasan dhe Librazhd
Në kuadër të zbatimit të projektit “Monitorimi dhe promovimi i shpërndarjes së barabartë të të drejtave sociale për grupet vulnerabël në nivel kombëtar dhe lokal”, ekspertët e Qendrës ALTRI në bashkëpunim me përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit monitoruan 2 shërbimet e përzgjedhura:
- Ofrimi i Ndihmës Ekonomike;
- Respektimi i të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar.
Për monitorimin e këtyre dy shërbimeve u përdorën mjetet dhe metodat e parashikuara në metodogjine e monitorimit. Për të bërë një vlerësim të situatës aktuale për këto dy shërbime dhe për të identifikuar problemet/ mangësitë që lidhen me ofrimin e tyre, Avokati i Popullit në bashkëpunim me ALTRI zhvilloi në bashkinë Elbasan, Librazhd dhe Kukës;
- Intervista me punonjësit përgjegjës për këto dy shërbime;
- Intervista me qytetarët përfitues në këto shërbime;
- Analiza dhe vlerësimi i informacionit të disponueshëm nga bashkitë, raportet narrative, kuadri ligjore dhe nënligjor lidhur me 2 shërbimet.
Institucioni i Avokatit të Popullit në bazë të të dhënave të mbledhura hartoi “Raporti i monitorimit për shpërndarjen e ndihmës ekonomike dhe respektimin e të drejtave të kategorisë së personave me aftësi të kufizuar”, në të cilën hartoi dhe rekomandimet përkatëse për institucionet përgjegjëse.
Zhvillimi i takimeve konsultuese dhe advokuese
Institucioni i Avokatit të Popullit mbas hartimit të Raportit të monitorimit, në bashkëpunim me Qendrën ALTRI organizoi 4 takime konsultuese dhe advokuese me qëllim prezantimin e rekomandimeve si dhe diskutimin më në detajë të tyre. E pranishme në këto takime ishte edhe media, me të cilën u realizuan 4 intervista në nivel lokal me qëllim prezantimin e rekomandimeve për të arritur në një numër të lartë të shikueshmërisë nga të gjithë qytetarët.
Tryezë përmbyllëse e iniciativës
Qendra ALTRI në përmbyllje të inicitiavës, organizoi eventin final me titull “Sfidat në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave sociale të grupeve në nevojë dhe veprimet që do të ndërmerren në vijim”.