Kjo iniciativë synonte të kontribuonte në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënies qytetar-gjykatë në dobi të efektivitetit, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor shqiptar. Projekti krijoi gjithashtu urat e para të bashkëpunimit midis gjykatave dhe fakulteteve në dobi të konsolidimit të një praktike në shërbim të qytetarëve. Në kuadër të përmbushjes së këtij objektivi u ngritën, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Elbasan, pikat e informimit qytetar lidhur me veprimtarinë e gjykatës, shërbimet që ofrohen dhe të drejtat e detyrimet e qytetarëve gjatë procedurave ligjore. Gjithashtu, në këto pika informimi studentë të Fakultetit të Drejtësisë zhvilluan aktivitete të edukimit ligjor të publikut dhe ofrimit të ndihmës juridike falas.